Posted by: isabelacocoli | June 12, 2009

Liria e shprehjes, a duhet të ketë kufi të arsyeshëm?

Isabela Çoçoli
Zëri i Amerikës, Uashington

Holocaust_Memorial_MuseumTë shtënat në Muzeumin Përkujtimor të Holokaustit në Uashington më 10 qershor 2009 kanë nxitur përsëri debatin se çfarë duhet bërë për të mbajtur nën kontroll grupet e ndryshme që nxisin urrjejten në Shtetet e Bashkuara dhe si duhet trajtuar “krimi i urrejtjes”. Megjithëse ekstremizmi i shoqëruar me dhunë nuk është ndonjë fenomen i ri as në Amerikë dhe as gjetkë, ai vazhdon të paraqesë mjaft sfida serioze për ata që duan ta parandalojnë. Disa nga këto sfida janë ligjore ndërsa të tjera politike dhe administrative.

Në aspektin ligjor, ekspertët e jurisprudencës thonë se vështirësitë janë të konsiderueshme në përpjekjet për të balancuar mbrojtjen e lirive civile, në veçanti lirinë e shprehjes, me synimin për të shmangur gjakderdhje. Ata që janë të ngarkuar për zbatimin e ligjit, hera herës i kanë kapërcyer kompetencat që u lejon autoriteti dhe kanë shkelur Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, që ka të bëjë pikërisht me lirinë e shprehjes, kur janë përpjekur të hetojnë ose të vënë nën kontroll ekstremistët.

Në aspektin politik dhe administrativ ngrihet pyetja se sa burime duhen shfrytëzuar dhe me çfarë kosto për të parandaluar apo luftuar rastet e rënda, megjithëse jo të zakonta, të dhunës së motivuar nga urrejtja. Madje, një shumicë e ndjeshme e atyre që sulmojnë të tjerët për shkak të racës, etnisë, fesë, prirjeve seksuale, apo karakteristika të tjera, nuk janë njerëz me paragjykime të forta dhe aktivitet të rrezikshëm për të vënë ato në praktikë. Ata nuk bëhen as anëtarë të grupeve supremaciste dhe as nuk i shprehin pikpamjet e tyre në Internet ose gjetkë në formë manifestesh.

Pak pas mesditës së 10 qershorit, 88-vjeçari James von Brunn, hyri në Muzeumin e Holokaustit me armë zjarri dhe menjëherë hapi zjarr duke goditur në gjoks rojen 39-vjeçar zezak, Stephen Tyrone Johns, që për kortezi i hapi derën këtij të moshuari. Johns vdiq pas disa orësh në spitalin e Universitetit George Uashington. Dy roje të tjera iu përgjegjën zjarrit me zjarr, duke e plagosur Von Brunn-in në fytyrë. Shkëmbimi i të shtënave ngjalli panik tek turistët, mes të cilëve edhe grupe nxënësisht që rendën për të shpëtuar.

Ndaj Von Brunn-it, i cili është në gjendje kritike në të njejtin spital, autoritetet federale kanë ngritur akuzat për vrasje, si dhe për armëmbajtje dhe përdorimin e armës së zjarrit në një ndërtesë federale. Byroja Federale e Hetimeve po përgatit akuzat edhe për krimin e urrejtjes kundër Von Brunn-it, i cili mendohet të ketë vepruar i vetëm. Ai është një individ i dënuar më parë për përdorim armësh, prandaj sipas autoriteteve, nuk mund të mbante ligjërisht armë zjarri. Ai ishte burgosur në vitin 1981 pasi tentoi të rëmbente, por pa sukses, anëtarë të Rezervës Federale (Bankës Qendrore) të Shteteve të Bashkuara. Në gjyq ai tha se ishte i irrituar për shkak të interesave të larta bankare dhe gjendjes së ekonomisë së vendit.

Policia e ka përshkruar Von Brunn-in si supremacist të bardhë ekstremist me aktivitet të gjatë anti-semit. Një bllok shënimesh që policia gjeti në makinën e Von Brunn-it, duket se ofron të dhëna për gjendjen e tij mendore para të shtënave. “Holokausti është gënjeshtër”, thuhet në një prej shënimeve. “Obama u krijua nga hebrejtë. Obama bën atë që i thonë pronarët e tij hebrej. Hebrejtë kanë rrëmbyer paranë e Amerikës. Hebrejtë kontrollojnë mediat e komunikimit masiv”. Pikpamjet e tij për Holokaustin ai i ka shprehur intensivisht në faqen e internetit HolyWesternEmpire.org, ku ka promovuar edhe librin e tij “Kill the Best Gentiles!”, në të cilin ai pretendon të ketë zbuluar konspiracionin e hebrejve për të “shkatërruar genin e racës së bardhë”. Von Brunn-i ka bërë thirrje të tilla raciste si “ka ardhur koha për të vrarë të gjithë hebrejtë” dhe “të deportohen të gjithë hebrejtë dhe zezakët nga vendet e bardha”.

Sipas FBI-së, krimi i urrejtjes është akt si vrasja, djegija, apo vandalizmi, por që ka si bazë paragjykimin. Me qëllimin e mbledhjes së statistikave, Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka përkufizuar krimin e urrejtjes si “akt kriminal kundër personit ose pronës, i motivuar tërësisht apo pjesërisht nga paragjykimet e autorit për racën, fenë, paaftësinë fizike, origjinën etnike, apo prirjet seksuale”. Vetë urrejtja nuk është krim, prandaj dhe organet e rendit në Shtetet e Bashkuara, konkretisht FBI-ja, tregohen të kujdesëshme në veprimet e tyre duke patur parasysh mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe të lirive të tjera civile të njeriut.

Por ekspertët thonë se sulmi në Muzeumin Përkujtimor të Holokaustit tregon se sa e rrezikshme mund të bëhet urrejtja që buron nga dualizmi, demonizimi, agresioni apokaliptik dhe etiketimi i një objekti të caktuar, duke marrë përmasat e krimit të dënueshëm me ligj. Po ashtu ekspertët këmbëngulin se krimi i urrejtjes duhet luftuar jo vetëm me mjetet e ligjit por edhe nëpërmjet ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe aktivizmit shoqëror për të siguruar qetësinë publike.


Responses

  1. Urrejtja kur tjetersohet ne agrasion dhe ushqen ekstreme te majte e te djadhte si dhe fundamentalizmin islamik, apo tenton te ndryshoje realitetin historik, ajo urrejtje duhet ndeshkuar me te gjithe forcen e ligjit, se vetem keshtu tregohet respekt e nderim ndaj viktimave te marrive kriminale.

  2. Jam, mbroj dhe desheroj LIRINE E SHPREHJES PER HARMONI, BEGATI, PROGRES, DHE JO PER SHERE, PRCARJE, O GRINDJE MIDIS TE GJITHE NJEREZVE NE BOTE.
    Ligor Luarasi, SHBA.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

%d bloggers like this: