Posted by: isabelacocoli | October 15, 2009

BE i vë theksin mangësive të gjyqësorit në Shqipëri

Isabela Çoçoli
Zëri i Amerikës, Uashington

EUNë raportin e 2009-s të Komisionit Evropian për Shqipërinë thuhet se pamja e përgjithshme e marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me këtë vend është inkurajuese dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, që hyri në fuqi këtë vit, në përgjithësi po ecën normalisht. Raporti vë në dukje një sërë arritjesh në forcimin e institucioneve demokratike, por ende mbetet shumë për t’u bërë dhe një prej aspekteve më problematike është gjyqësori.

Pavarësia e institucioneve shtetërore, sidomos e gjyqësorit, duhet të përforcohet, por pak përparim është bërë për zbatimin e reformës së gjyqësorit, thekson raporti. Përpjekjet e qeverisë për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit e kanë politizuar debatin dhe kanë penguar përparimin. Raporti trajton në veçanti shprëthimin e depos së municionit në Gërdec në mars të 2008. Zyra e Prokurorit të Përgjithëshëm përfudoi hetimet e saj për shpërthimin dhe akuzat ndaj 29 zyrtarëve, përfshirë ministrin e Mbrojtjes iu paraqitën Gjykatës së Lartë.

Gjyqi u shty disa herë për çështje procedurale, vë në dukje raporti, dhe gjykata vendosi në muajin shtator ta pushonte çështjen kundër ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për shkak të imunitetit të tij si anëtar i parlamentit. Për të garantuar besueshmërinë në luftën kundër korrupsionit, thuhet në raportin e Komisionit Evropian, është i nevojshëm një proces i drejtë dhe transparent për të dënuar të gjithë personat përgjegjës, pavarësisht nga pozita që mbajnë.

Përsa i përket përmbushjes së kritereve politike për pranimin e vendit në Bashkimin Evropian, përparimi ka vazhduar dhe zgjedhjet e 28 qershorit 2009 përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së, por Shqipëria nuk përmbushi standardet më të larta për zgjedhjet demokratike.  Reporti thekson se kultura e dialogut mes partive kryesore politike degradoi para zgjedhjeve, gjë që pengoi përparimin e reformave në aspkete kyçe, si gjyqsori.  Në përgjithësi, dialogy politik, një nga përparësitë themelore të partneritetit evropian, duhet të vihet në rrugë të mbarë,  rekomandon raporti.

Shqipëria ka përparuar në përafrimin e legjislacionit, politikave dhe kapaciteteve të saj me standardet evropiane.  Në muajin prill të 2009-s, Shqipëria paraqiti kërkesën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.  Për përmbushjen e kësaj aspirate thuhet në raportin e Këshillit të Evropës, vendi duhet të bëjë më shumë, veçanërisht lidhur me shtetin e të drejtës dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Raporti trajton edhe çështjen e pronësisë dhe vë në dukje se është bërë pak përparim për konsolidimin e të drejtave të pronës. Pasiguria për këto të drejta, thekson raporti, pengon zhvillimin e tregut funksional të tokës dhe i mban investimet e huaja nën potencialin që ka vendi. Komisioni Evropian vlerëson hapat e Shqipërisë drejt një ekonomie funksionale tregu, megjithëse rritja ekonomike u ngadalësua këtë vit për shkak të krizës ekonomike globale.


Responses

  1. Raporti i 2009 i Komisionit Europian per Shqiperine te kujton deklaratat e Berisha-Nanos qe i deklaruan te mbyllura krimet ne vite, perfshi dhe krimet makabre te 1997-98, pa harruar dhjetra tragjedi ne dete e toke si dhe Gerdecin, sa cudi.

    Te biesh preh e politikave te riciklimit te botes se korrupsionit e te krimit ne Shqiperi, ka nje domethenje, te lojrave te parave te pista nendore. Politikat e deritashme te diktatures komunisto-enveristo-titiste ne Shqiperi dhe jashte saj qenkan kaq dominuese sa me paturpesi e me mbeshtetje nga jashte vazhojne te mbajne ne te kater pushtetet monopolin e tyre.

    Sa turp, pa harruar krimet ne vite, vetem mijra krimet makabre te bera ne vitet 1997- 98 si dhe tragjedia e Gerdecit jane nje grope e madhe qe perdite mbushet me viktimat e rradhes se marrise korruptivo-kriminale te xhaketave te kthyera te diktatures komuniste. Jane mijra viktima qe kerkojne drejtesi e jo karshillek dhe ortakeri apo idiferentizem ndaj kesaj politike bastarde, kriminale, e demostrative te klaneve berisha-nano-meta me shoke qe duhet te dalin para drejtesise per krimet makabre te tyre e jo te perkedhelen, apo te lejohen te krekosen si gjeli siper plehut.

    Boooll me. Shqiptaret kane nevoje te mbeshteten per te shkulur nga rrenjet e vene para drejtesise bandat e botes se korrupsionit e te krimit te klaneve berisha-nano-rames me shoke, e jo te te meshirohen ato per krimet e tyre, duke i bere makjazhin ne vite. Turp. Nje krim qe nuk ndeshkohet eshte nje krim qe vazhdon, ka thene me shume te drejte Prof. Sami Repishti, nga AMERIKA.

    Binduni dhe besoni, ky eshte realiteti i vendeve ish komuniste si Shqipera, nje demokraci allakomunistesh per te mbajtur sa me gjate pushtetin e poltroneve te qindra e mijrave krimeve makabre ne vite.

  2. Uuuu sa paski shkru! Kush i lexon kto, shkruni ma pak. Ma pak ma mir!


Leave a response

Your response:

Categories