Posted by: isabelacocoli | March 17, 2009

Shpëtimi financiar i AIG dhe fiaskoja e saj me shpërblimet

Isabela Çoçoli
Zëri i Amerikës, Uashington

aig-building1Indinjata e publikut amerikan për miliarda dollarët që qeveria federale dha për shpëtimin e firmës së madhe të sikuracioneve AIG (American International Group) dhe shpërblimet prej 165 milionë dollarësh që kjo firmë u dha ekzekutivëve të saj për vitin 2008, është shtuar së tepërmi dhe ka shumë të ngjarë të marrë përmasa edhe më të mëdha. Shumë njerëz thonë se shpërblimet, qëllimi i të cilave është vlerësimi i punës së mirë, janë kthyer në “vjedhje të legalizuar”.

Që të gjithë, duke filluar nga Presidenti Obama, tek ligjvënësit amerikanë e zyrtarë të tjerë,  janë po ashtu shumë të indinjuar. Presidenti sugjeroi të hënën më 16 mars 2009 se kontratat e shpërblimeve duhen grisur. Ai udhëzoi Sekretarin e Thesarit, Timothi Gaitner të shfrytëzojë të gjitha levat ligjore për rikthimin e parave të taksapaguesve, duke thënë se nuk është vetëm fjala për para, por për “vlerat themelore” amerikane.

Avokatët e Wall Street-it dhe konsulentë të kompensimeve janë dakord me Presidentin Obama, por “vlerat themelore”, sipas tyre, përfshijnë edhe pacënueshmërinë e kontratave. Këtu çështja komplikohet edhe më tepër në këtë gjendje krize ekonomike që ka përfshirë vendin, për shkak të reagimit të komunitetit të biznesit, që ka shumë të ngjarë të jetë tepër e ashpër, nëse qeveria fillon të abrogojë kontratat.

Vetë punonjësit do të humbisnin besimin tek kompanitë nëse ato nuk u përmbahen kushteve të kontratave, dhe madje edhe tek vetë sistemi i marrëdhënieve të punës. Kështu që kaosi ekonomik do të thellohej edhe tej, e si rrjedhojë kriza ekonomike do të rëndohej më tepër. Nga ana tjetër në dilemë është edhe angazhimi etik dhe financiar ndaj taksapaguesve.

Madje, pas kërkesave të përsëritura të Kongresit për muaj me radhë, AIG lëshoi të djelën, më 15 mars 2009 në mbrëmje, edhe një listë të detajuar për pagesat që kompania u bëri partnerëve të saj tregtarë ose kompanive të tjera të siguruara prej saj. Udhëheqësit e Kongresit kërkonin informacion se kush përfitoi nga 170 miliardë dollarët që kompania mori nga fondet publike për t’i shpëtuar falimentimit. Lista përfshin vetëm disbursimet e bëra në periudhën 16 shtator – 31 dhjetor 2008.

Në shtator qeveria federale i dha AIG-së 85 miliardë dollarë për të parandaluar falimentin e saj, në mënyrë që ajo të ishte të gjendje të përmbushte detyrimet ndaj klientëve. Që prej atëhere firma mori edhe dhjetra miliardë të tjerë. 22.4 miliardë dollarë nga disbursimet prej 118.4 miliardësh, kompania ua shpërndau firmave financiare, amerikane dhe të huaja, mes të cilave Goldman Sachs, Merrill Lynch dhe Morgan Stanley, të blera tashmë nga Bank of America, si dhe Societe Generale, Deutsche Bank dhe Barclays.

E si mund të zgjidhet kjo situatë kaq komplekse? Disa ekspertë të ekonomisë thonë se AIG është ajo që e ndërtoi bombën dhe mund të jetë vetëm ajo që di se si ta ç’aktivizojë atë.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: