Posted by: isabelacocoli | August 26, 2009

Edward Kennedy, një nga legjislatorët më me influencë në historinë amerikane

Isabela Çoçoli
Zëri i Amerikës, Uashington

kennedySenator Edward Moore Kennedy i shtetit Massachusetts, politikani që u bë i njohur si “luani liberal i Senatit” amerikan, një prej senatorëve më me influencë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vdiq më 25 gusht 2009 në shtëpinë e tij në Hyannis Port pas një beteje një vjeçare me kancerin në tru, në moshën 77 vjeçare.

“Ne humbën zemrën e pazëvendësueshme të familjes dhe dritën e gëzimit të jetës tonë, por frymëzimi i besimit, optimismi dhe këmbëngulja e tij do të jetojnë në zemrat tona përgjithmonë. Ai e donte këtë vend dhe e vuri gjithë jetën në shërbim të tij”, u shpreh familja në një njoftim për publikun.

“Për pesë dekada, praktikisht çdo ligj, nga avancimi i të drejtave civile e deri tek mirëqënia shëndetësore dhe ekonomike e amerikanëve, mbajnë emrin dhe janë rezultat i përpjekjeve të tij”, tha Presidenti Barak Obama, i cili ndodhej për pushime në Martha’s Vineyard, në brigjet e Massachusetts.

Kennedy dhe mbesa e tij Caroline, e bija e ish presidentit John Kennedy, i tronditën demokratët në janar të vitit 2008, kur shprehën mbështetjen e tyre për Senatorin Barak Obama si kandidat i partisë për president dhe jo Senatoren Hillary Rodham Clinton. Pas fitores së Obamës në nëntor, Kennedy u shpreh me fjalët e vëllait të tij John, duke deklaruar: “Bota po ndryshon. Mënyrat e vjetra nuk funksionojnë… Ka ardhur koha për një gjeneratë të re udhëheqësish”.

Në fundjavën e inaugurimit të tij si president në vitin 1961, rreth 50 vjet më parë, John Kennedy, i dha vëllait më të vogël një kuti cigaresh me mbishkrimin e gdhendur “Dhe i fundit do të jetë i pari”. Asnjeri prej tyre nuk e dinte atëhere, atë që dimë ne sot, se në çfarë formash kjo profeci do të bëhej realitet.

Për rreth 50 vjet në Senatin amerikan, Kennedy shërbeu krahas dhjetë presidentëve, mes të cilëve edhe vëllai i tij, John Fitzgerald Kennedy. Ishte një kohë 40 vjet më parë, kur ngjau sikur më i riu i të katër vëllezërve Kennedy, Tedi, siç e thërrisnin zakonisht atë, do të ndiqte rrugën e familjes për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë. Por të gjithë ata që të paktën e ushqenin këtë iluzion gabuan, Ted Kennedy nuk do të bëhej kurrë president i Shteteve të Bashkuara. Dobësitë e tij dhe ndoshta më tepër aksidenti i Chappaquiddick-ut ishin pengesa që edhe forca e karakterit të tij nuk mundën t’i kapërcenin. Tentativa e tij e vetme për Shtëpinë e Bardhë përfundoi me humbje në vitin 1980.

Shumë thonë se heqja dorë nga synimi për t’u bërë president, i hapi atij rrugën për të shpalosur talentet si politikan, duke u bërë një nga ligjvënësit më të mëdhenj në historinë amerikane. Kur presidentëve u përfundon mandati në Shtëpinë e Bardhë, shumica japin leksione, shkruajnë libra, luajnë golf dhe bëjnë para. Madje, ndonjë prej tyre fiton edhe Çmimin Nobel, si Jimmy Carter. Por të gjithë ata thonë me bindje të plotë se asgjë e tillë nuk mund ta zëvendëzojë forcën e pushtetit.

Dhe meqënëse Edward Kennedy nuk përfundoi kurrë në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk përjetoi as edhe hijen pas-presidenciale. Në fakt, deri në momentin e vdekjes, ai kishte kaluar 46 vjet në Kongresin amerikan, kohë mjaft e gjatë për të lënë gjurmë të pashlyeshme në gjithçka, nga Akti për të Drejtën e Votës i vitit 1965 deri tek Akti Edward M. Kennedy në Shërbim të Amerikës i vitit 2009, një ligj për programe në shërbim të komuniteteve në mbarë vendin. Gjatë viteve Kennedy ka qënë një forcë mbështetëse për Aktin e Lirisë së Informacionit, Aktin e Sigurimit në Punë dhe Aktin për Amerikanët me të Meta Fizike. Ai ndihmoi disidentët e lindjes dhe luftoi kundër aparteidit. Por mbi të gjitha, për katër dekada ai drejtoi një kryqëzatë të vërtetë për sigurimet dhe kujdesin shëndetësor.

Në bazë të ligjit të shtetit Massachusetts, zëvendësi i Senatorit Kennedy do të caktohet përmes zgjedhjeve të posaçme. Në aktin e tij të fundit publik, senatori u bëri thirrje zyrtarëve të shtetit t’i japin Guvernatorit demokrat, Deval Patrick, pushtetin për të emëruar zëvendësin e përkohëshëm të tij. Por kjo nuk duket e realizueshme, gjë që i lë demokratët në Kongres me një votë më pak për disa muajt e ardhëshëm, ndërkohë që ata përpiqen për miratimin e reformës shëndetësore të Presidentit Obama.


Responses

  1. Ted Kenedi lindi nga nje familje e pasur dhe e edukuar nga nje llogjike te mirefillte njerezore familjare, dhe kete edukate Ai e tregoi gjate gjithe jetes ne Senat, ku dhe mori emrin e tij te dyte “luani liberal i Senatit”, ne formulimin e shume ligjeve ne mbrojtje te me te dobtit. Senatori Ted Kenedi ishe dhe do te mbetet ne logjiken e shendoshe njerezore nje politikan qe gjate gjithe kohes se jetes se Tij ne Senat, iu perkushtua me te dobteve si dhe Mbrojtjes se te Drejtave e Lirive te Njeriut. I perjeteshem, i respektuar e i nderuar do te mbetet e percillet ne breza psikologjia e Tij e politikave njerezore. Ted Kenedi nuk vdiq, Ai nderroi jete e shkoi ne boten e perjeteshme si nje baba, politikan qe i sherbeu me te gjitha mundesite e Tij, llogjikes se mirefillte njerezore. Zoti e bekofte. AMEN

  2. Burre i madh!
    Burre shteti.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: